Pjesë nga Ditari ynë i Belgjikës dhe Shqipërisë (2001 – 2008) botuar në gazetën Republika më datën 11 maj 2008.
Nga Shtjekna në Bunia – Sprovë
KE ka marr vendime për të shpëtuar Kongon nga lufta. Mbledhjet ndjekin mbledhjet, merren vendime mbi vendime. Ndërkohë në Bunia, Kongo vazhdojnë të vriten njerëz të tjerë. Është bërë dhe llogaria se sa duhet të vriten. Kësaj rradhe janë parashikuar më pak viktima se në Ruandë, në Bosnje e në Kosovë. Para ekranit kalojnë njëra pas tjetrës pamje celuloidi elektronik. Pushkë, gëzhoja, trupa pa jetë, luftëtarë fëmijë. Para ndonjë shtëpie të rrallë ngjyrë krem të mbyllur, nën kurorën e rëndë të pemëve tropike, fëmijë negër, të zbathur e me kallashnikovë në duar, trembëdhjetë – katërmbëdhjetë vjeç, nxjerrin dhëmbët e bardhë si fildish dhe qeshin para kamerave të reporterëve kur pohojnë me zbrazëti në shpirt se ata s’kanë më prindër.
Reportazhin nuk arrij ta ndjek qetësisht. Herë pas here nga dritarja Velux e komshies kongoleze këtu në sheshin Saint Denis, që qëndron e hapur për të hyrë pak freski në këto ditë të nxehta maji, shpon ajrin një e qeshur e madhe dhe e mprehtë. Reportazhi vazhdon. Të tjera imazhe lëvizin. Reporteri seç kërkon të mësojë nga ato shpirtëra të vdekur. Duken si silueta të zeza, të larta që çapiten me përtaci para fasadave të shtëpive të tyre lilipute përgjatë një bulevardi me pluhur, një rryp toke e zhveshur me vite nga thundrat e kafshëve dhe shollat e kuqe të njerëzve. Ato ngrehina, që vendasit i quajnë shtëpi, kanë dhe ndonjë gropë mbi mur. Janë si ato dritare të një ndërtese parafabrikati që kur nuk kuadrojnë nuk hapen më kurrë. Nuk dihet se për ç’arsye ato dritare vendasit pasi i kanë veshur me pllaka kompensate i kanë gozhduar përsëri bukur e mirë.
Dritaret e ngrehinave të lëkurëzinjve të fshatit kongolez më sjellin ndër mend trishtimin e një fshati malor në vendin tim, Shtjekën.
Në Shtjekën ishte vendburimi më i pasur i mineralit të kromit në gjëndje natyrore. Nga rrugët malore gjarpëroshe e të thepisura minerali i ngarkuar në kamiona zbriste luginave të lumenjve të rrëmbyeshëm e merrte rrugën nga portet e vendit tim për në portet e të tjera të Evropës. La Specia, Rotterdam, Anvers, Dunkerk. Atje minerali kromit bëhej ferrokrom dhe nga ferrokrom bëhej pushkë e autoblinda. Pushkët dhe autoblindat shndërroheshin diku në shumë flori e shumë diamante. Njerëz të tjerë vriteshin. Me pak flori e diamante blihesh përsëri krom. Nga Afrika e Jugut, Shqipëria, Serbia, Rusia, Turqia kromi riniste përsëri udhëtimin drejt porteve të Evropës. Kështu rriteshin gjithnjë e më shumë kryeqytetet e Evropës. Në fshatin malor dritaret e kasolleve prej druri të minatorëve nuk kishin as xham e as kompensata. Në mungesë të oxhaqeve prej tyre dilte tymi i rëndë i qymyrit që digjej nën një kusi të nxirë. Herë - herë shihje të hynte a të dilte nga porta pa derë duke hedhur vithet me delikatesë ndonjë dhi. Kasollja më e mirë kishte ndonjë plastmas të shqyer në dritare. Ata njerëz nuk kishin parë ndonjëherë libër e s’dinin se ç’ishte filmi. Ora e jetës së tyre kishte mbetur në lashtësi. Hahahaha, dëgjohet përsëri diku në Saint Denis një e qeshur.
Multietniciteti dhe racizmi
Në mbrëmje Mira u mundua për herë të parë të sistemojë me shumë dëshirë plehrat në qese me ngjyrë, në ngjyrë të bardhë mbeturinat, në ngjyrë të verdhë letrat dhe ngjyrë qielli prodhimet prej qelqi. Një gjë të tillë s’kanë arritur ta bëjnë mirë as vetë vendasit, që rrojnë që nga koha e çezarit në këto anë. Ajo zbriti shkallët për t’i nxjerrë tek dera ku makina e plehrave vjen dy herë në javë për t’i mbledhur. Tek dera e pritën dy marokene, që pa u folur njeri, e ngacmuan duke e pyetur nëse ajo dinte t’i rregullonte ato plehra.
Marokeneve kurrë s’do t'u kish vajtur mendja të vinin në një institucion si ACV, që s’i dinin as emrin, për të ofenduar një njeri të panjohur për ta. Me veprime të tilla specialistët belgë na këshillojnë të mësohemi të rrojmë në harmoni me njerëz të tjerë në këtë vend ky lulëzoka harmonia e multietnicitetit dhe multikultura.
Në Belgjikë jetojnë një milionë të huaj. Vetëm në Bruksel banojnë mbi pesëqind mijë alloktonë: marokenë, turq, shqiptarë, kongolezë e njerëz të etnive të tjera. Shteti belg ka bërë me kohë kujdesin e duhur që të kufizojë jetën e tyre në çdo drejtim, duke filluar nga vendi i banimit. Ai i ka sistemuar, i ka segreguar alloktonët në geto të mbyllura, në geto të pastra me përbërje të një race apo dhe të përzjera mes tyre, marokenë me turq, marokenë me shqiptarë e kështu me rradhë. Herë pas here në këto geto mes grupeve etnike, mes ndonjë vendasi, që ka mbetur pa u shpërngulur dhe të huajve shpërthejnë zënka të mëdha që përfundojnë shpesh me vrasje. Këto geto rrethojnë qendrën administrative të Brukselit si një gjerdan i zymtë, i hirtë. Ato janë zona urbanistike të lëna krejt pas dore. Në to shteti belg ka dekada, që nuk investon asnjë lek, ato janë zona me popullsinë më të dendur, më të varfër dhe më analfabete në Belgjikë, që banon në shtëpi të rrënuara, të harruara prej kohësh nga belgjit. Këto zona të banuara çahen mespërmes nga betoni i trashë i metrove dhe rrugëve të zhurmshme të transportit, në to gjenden therrtore, tregje të mëdha frutash e zarzavatesh, stacione trenash, trami e autobuzi, qendra të zhurmshme droge dhe prostitucioni. Atje lindin, siç thotë Sartri, qytetet moderne perëndimore. Ndërsa të huajt rrojnë të izoluar, në kushte skamjeje, pa punë, në mëshirë të ndihmës së komunave, vendasit vetë janë shtyrë larg, në periferi të qytetit, në komuna të vogla, të largëta, mes gjelbërimit. Këto janë komuna raciste ku jeta e një të huaji është praktikisht e pamundur. Atje, në toka të sistemuara mirë, shteti ka bërë ndërtime të reja, ka ngritur shkolla dhe çerdhe model, me rrugë e trotuare të rregulluara, me pista të veçanta për biçiklistë e me kopshte të gjëra të gjelbëruara. Në këto zona janë të përqëndruara firma të vogla me aktivitet industrial e ekonomik të kryeqytetit dhe të vendit ku me ndonjë përjashtim të vogël punojnë vetëm belgjit.
Mërgata shqiptare në Belgjikë
Sot jam i ftuar nga miku im belg në një takim elektoral të partisë së tij. Është hera e dytë që unë vesh me gëzim kostumin, që tani s’e mbërthej dot më. Është një kostum i lehtë, ngjyrë gri të errët, që unë e kam blerë pak ditë pasi ne na u kthye fëmija në gusht të vitit 2001. Në atë kohë unë isha dobësuar mjaft. Në fytyrë më nxinte një mjekër, që prisja ta rruaja kur të kthehesh fëmija, një mjekër që mua më bezdiste shumë. Habitem, thoshja me vete, sesi disa të tjerë e mbajnë me qejf një jetë të tërë.
Në librarinë e vetme pranë sheshit Saint Denis kur hyra unë librashitësja sapo nisi një bisedë të shtruar me një djalë të ri. Është një femër rreth të tridhjetepesave, që çdo lexuesi që vjen i hedh një vështrim të pafajshëm. Ka një fytyrë të ardhur, siç vjen e fryhet një bukë kur miellit i hedh pakëz maja. Buzët e saj sikur hidhen pak përpara gojës së saj të vogël. “Të lutem” – e ndërpres unë, “a mund të më jepni një biletë dhjetëshe urbani ?”. Kjo është bileta më e lirë, që familja jonë ka mundur të blejë derimësot në këtë Carëri që nga dita e parë kur këmba jonë shkeli në këtë qytet. “Ju duhet të silleni me politesë, zotni!” – më shkundi me fjalët kësaj rradhe të prera shitësja. I habitur unë e vështrova ngultazi.
Çdo mbrëmje, kur qielli s’ishte më i çelur nga drita e diellit dhe në rrugë nisnin të vezullonin zbehtë dritat e verdha të neonit, në qoshen pranë shtëpisë sonë në Porte d’Anvers fillonin të rrëshqisnin një nga një siluetat e zeza të prostitutave. Kishte ardhur ora kur ne duhet të mbyllnim perdet e trasha, që na kish dhuruar pronari i banesës nga bodrumi i tij, të dritares së lartë në dhomën-shtëpi ku buajtëm në nëntor të vitit 1999. Nën vështrimin e rreptë të kodoshit, vajzat rregullonin për herë të fundit fundet e shkurtëra që sapo u mbulonin slipet dhe bluzat – sutjena që mezi arrinin tu mbërthenin gjitë e fryrë. Pasi u kish dhënë atë mbrëmje disa herë të njëjtat porosi, kodoshi u binte lehtas në bythë me pëllëmbë dhe merrte rrugën me një qese në dorë, qesen e rrobave të ndërruara të skllaveve të tij, e pakëz më tej nisesh me veturën luksoze të tij. Si patat rosake që mezi shkundin ujët e pellgut, vajzat – gra prostituta mezi shkundnin gjumin e rëndë të ditës pas një nate të lodhshme, që ato tashmë kalonin mes epshit magjik dhe meshkujve të pështirë. Megjithëse nata s’kish rënë akoma mirë, goja përsëri u hapesh ndërsa shtrinin me dorë poshtë bythëve fundin llastik. Që në muajt e parë të prostitucionit këto vajza fillonin të pësonin metamorfozën e parë. Shumë shpejt ato nisin të shëndoshen. Tiparet e mprehta pak e nga pak fshihen pas fytyrës së fryrë, buzët e holla nisin të rrumbullakosen e përpiqen tu dalin nga goja e vogël. Ngjyrën e kuqe, të lehtë të mollzave të fytyrës e zë pak e nga pak ngjyra karakteristike e zbehtë e një prostitute tashmë të regjur. Me kohë, tek një prostitutë gjithçka në trupin e saj sa vjen e fryhet, rrumbullakoset e me kohën që kalon fillon përsëri të bjerë e të rënohet ashtu siç rënohet e plaket shumë para kohe çdo femër që merr një rrugë të tillë. Si shumë aktivitete që e kanë jetën e shkurtër dhe rinia e këtyre vajzave është shumë e shkurtër ndonëse shtysa për të jetuar i detyron ta ushtrojnë zanatin e vjetër deri në pleqëri. Në lagjen e Porte d’Anvers syri të sheh gjatë ditës të gjitha kombësitë dhe moshat e prostitutave. Më plakat, me një figurë tashmë të shëmtuar nga pudra e tualetit të rënduar, janë shndërruar për kalimtarët më shumë në një objekt kurioziteti etnografik. Këto prostituta zakonisht dalin në orët e mëngjesit dhe zhduken atëhere kur dielli arrin apogjenë e tij. Ndërsa, të rejat, prostitutat që kanë disa muaj që ushtrojnë profesionin e tyre lëshojnë piskamat e para aty nga ora shtatë e mbasditës.
Askush nuk është në gjëndje të thotë se kur një vajzë e ka humbur virgjërinë e saj. Rëndom, vajza të tilla e humbin virgjërinë që në kontaktin e parë me pronarin e tyre. Është një kontakt dramatik, që kalon nga joshja për një jetë të ëmbël në një realitet të egër përdhunimi e poshtërimi. Vajza bëhet gati për të dalë në punën e re vetëm pasi është shtruar ashtu siç një kaubojs shtron kafshën e tij për punë. Për vajzat e paprishura, pra për ato që mund të arrijnë të virgjëra deri në Belgjikë, pagohet për një natë sipas një ish komshiut tim deri në njëqind e njëzetë mijë franga të vjetra belge. Këto vajza nuk të qëllon syri t’i shohësh në trotuarët e Porte d’Anvers. Vajzat aty nuk kushtojnë më shumë se tre mijë franga për pesë minuta “dëfrim”.
Me pronarin e banesës ku buajti familja jonë na njohu një bashkëvendasi im. Ky ish një ish i persekutuar politik dhe kjo ishte një arsye më shumë që tek ai ne të shihnim mirëbërësin tonë. Vitet e rinisë në vendlindje i kaloi në burgje. Një nga “banesat” e tij e kishte emrin burgu i Bulqizës që çuditërisht afron me emrin Belgjikë. Emrin Belgjikë ai e kishte mësuar për herë të parë nga gardianët e tij kur i thanë se për vizitë vinte një vizitor i rrallë, një vizitor nga një vend i huaj. Mbas disa ditësh ai kish parë në derën e tij mikun e ardhshëm, sozinë e tij. E njëjta fytyrë e rrumbullaktë, të njëjtat vetulla të harkura, e njëjta buzëqeshje e ngrirë. Që të dyve u kishin rënë ca flokët. Për çudinë e tij i huaji kishte të njëjtin trup të vogël, të njëjtat supe të rëna, të njëjtat duar të vogla e po ato këmbë të vogla. Dhe ecjen e kishin që të dy njëlloj. Sikur gjithnjë i shtynte era nga prapa.
Në sallën e takimit elektoral të partisë së mikut tim ndryshe nga të gjithë, hyri nga një derë e një korridori, që të çonte në wc, një kandidat për deputet me një fytyrë me një të qeshur të pasjellshme. Ky u drejtua menjëherë drejt grupit tonë dhe zuri bisedë me mua duke më pyetur se nga jam. Unë pata rastin të zbuloj të parin dhe të vetmin belg, emri i të cilit fillonte me gërmat Al, diçka si Allemagne, që këto tre vjet e gjysëm është prezantuar direkt me mua pa u prezantuar më parë nga askush tjetër, siç është zakoni këtej. Siç doli më vonë nga goja e tij, ky njeri ishte mik shqiptarësh dhe kish folur të djelën e kaluar në radion e tyre, që një orë e një herë në javë na fliska shqip. “Është një mjek”, më thanë. Prisja të pështynte në tokë siç bëjnë shpesh mjaft djem shqiptarë a alloktonë. Siç duket e mbajti veten. Pasi erdhi pak vërdallë dhe priti të fillonte mbledhja, këtë mik të rëndësishëm të shqiptarëve se kush e telefonoi, ai u ngrit e iku.
Siç mësova më vonë, ish i persekutuari, pasi doli nga burgimi i gjatë, braktisi familjen dhe erdhi e u vendos në Bruksel. Pas tij erdhën e u mblodhën të gjithë shokët e tij të qelisë. Një e nga një, ashtu siç ata vendoseshin një e nga një në qelinë e tij dhe në çdo burg që ai kish kaluar ndonjëherë. Shumë nga shokët e tij ishin pushkatuar, kush ishte transferuar në çmendi e kush kishte vdekur në qeli. Ai vetë kishte mbijetuar bashkë me shokët e tij të qelisë.
Në Belgjikë, ai pëlqeu të rrinte në Bruksel. Pak e nga pak iu afrua ëndrrës së tij, të kishte një shtëpi pranë Gare du Nord, portës së madhe të emigracionit të këtij qyteti. Dhe këtu ai priti e përcolli dhjetra, qindra e mijra emigrantë. Ata erdhën, panë dhe ikën. Shumë u kthyen andej nga erdhën, të tjerë ikën në vende të tjera, pak mbetën. Këtu mbetën vetëm shokët e qelisë së tij.
“Në burg, mikut tim të huaj i thashë”- tregonte me mburrje një ditë ai, si çdo mburravec frikacak këto ditë, “se a jeni duke na e heqë qafe këtë Hoxhën!”. Mua m'u kujtua xhaxhai im, që dikur ka qenë partizan. Një ditë trimit të fisit tonë i thashë se vetëm ata që kanë rënë në luftë dihet tashmë se kanë qenë njerëz trima, ndërsa shumë nga ju që keni shpëtuar jeni nga ata që keni ditur të shpëtoni lëkurën tuaj, të gëzoni dhe të keni fatin të shkruani për lavdinë tuaj për së gjalli.
Ish i persekutuari shoqëronte çdo ditë emigrantë dhe çdo javë shtonte faqet e ditarit të tij në rajonin e policisë aty pranë. Për ironi të fatit, këtij njeriu punët nuk i kanë shkuar asnjëherë mbarë. Pas njëzet vjet burgimi në vendlindje, atij iu deshën këtu dhjetë vjet pune të palodhur spiunimi në kurriz të mijra e mijra vetëve, që më në fund të gëzonte dhe ai një ditë të qetë dhe pasaportën belge.
“Ç’doni të thoni me fjalën politesë?” – iu përgjigja gazetashitëses së pafytyrë. Dhe duke dalë pa blerë biletë i thashë sikur fola me vete “putanë!”. Një mashkull pranë stendës, me kostum zyrtari dhe një çantë sportive në krah, ktheu kokën. Dikush kishte lexuar në ordinatorin tim shkrimin mbi albumin fotografik të këtij qyteti dhe fjala kishte marrë dhenë. Ashtu i mërzitur mora rrugën për në tramin 52. Dikush në këtë vend ia arrin qëllimit të tij të më shqetësojë përditë.
Njeriu dhe qeni
Që nga kohët që s’mbahen mend, qeni u zbut nga njeriu e që nga ajo kohë ai ndryshe nga paraardhësit e tij rron vetëm, pa familjen e vet. Duke u larguar në kohë e në hapësirë nga habitat-i i vet, kjo kafshë hyri në shpellë, në shtëpinë e parë të njeriut dhe u nda dhe nga seksi tjetër. Është koha që në shoqërinë primitive shfaqen një nga perversitetet e para të njeriut, që më vonë nga shkencëtarët psikologë u quajt zoofili. Njeriu disiplinoi qenin. E kryqëzoi dhe raca të reja hibride lindën.
Mbrëmjeve në sheshin Saint Denis dalin dy tre shëtitës me qenin e tyre. Me qenin për dore ata nisen të heshtur drejt parqeve – shurrtore të gjelbërta. Një park i tillë është dhe brenda mureve të lashtë të Abayées. Meshkujt marrin në dorë buçet, femrat në dorë kanë qentë meshkuj. Është koha që komshinjtë zgjedhin për t’i hedhur ndonjë vështrim njëri – tjetrit, shumë - shumë ndonjë murmuritje.
Njeriu që kur e afroi qenin është më i gëzuar. Ai i ruan shtëpinë, i mbron veten dhe gjënë e gjallë. Njeriu për të nisi të shkruajë poema, të qepë rroba, të ngrejë hotele, të nxjerrë ligje e të presë bileta, të hapë shkolla e berberhane e deri në krematoriume dhe varre. Ndërsa qeni që kur njohu njerinë ai u bë melankolik, në sytë i ka mbetur veç trishtimi. Kur një qen është në këmbë, sytë e tij më ngjajnë me ato të një princi. Kur ai është me kokën e shtrirë mbi këmbët e para, sytë e tij më ngjajnë me ato të një Cari.
Rrugës për në park qentë zakonisht lehin me të madhe sapo shohin një qen tjetër. Rrallë herë mes tyre ka armëpushim. Është çasti që komshinjtë e mi zgjedhin kur e shohin të udhës për të lidhur një bisedë me njëri tjetrin. Ndryshe nga njerëzit, qentë afrojnë hundën herë në fyçkën dhe herë në prapanicën e tjetrit. Ky është një ritual që ka mbetur nga jeta e dikurshme në liri, është një ritual ata që e përsërisin dy a tre herë. Ky ritual ka kaluar dhe në botën e njerëzve. Në ndonjë fis të Paqësorit akoma dhe sot e kësaj ditë indianët përshëndeten duke takuar hundën me njëri tjetrin. Nga bota e kafshëve dhe shoqëria primitive kjo lloj përshëndetje, ndonëse shumë rrallë, imitohet siç bën majmuni, dhe nga ndonjë këtu në Belgjikë. A thua se dashuria tek hunda e njeriu gjen shqisën ku shprehet e ndihet më mirë.
Qeni nuk është vetëm kafshë me të cilin njerëzit mund të rilidhin një miqësi. Qeni është kafsha që i ndihmon ata të shprehin në rradhë të parë mërinë e tyre ndaj njeri tjetrit. Kur të zotit të tij i afrohet komshiu “armik”, qeni ngre këmbën e prapme të majtë a të djathtë, si të jetë më mirë për të zotin, dhe i këput një urinë të shkurtër a të gjatë sipas intensitetit të mërisë që padroni kërkon të shprehë. Në qoftë se mëria ka kaluar në zemërim, qeni kalon pak para komshiut, ul pakëz të dyja këmbët e prapme dhe nis të kryejë nevoja personale. Kur Sheshi Saint Denis është i qetë dhe mbi të nuk shkel këmba e njeriut, ai dëshmon për mërinë që kanë komshinjtë për njeri tjetrin. Kudo në shesh e nëpër trotuare duhet të bësh kujdes kur kalon që të mos shkelësh në ndonjë bajgë të qenve të tyre.
Ka sot ndonjë psikolog profesor që thotë se përshëndetja me hundë paska efekte çudibërëse, shton dashurinë mes atyre që kryejnë një gjest të tillë. Kjo tezë ka bërë që të dalë në modë një gjest i tillë që imitohet nga nënat që nuk u japin qumësht foshnjes nga gjiri i vet për të mos prishur formën e tij. Kjo ka arritur deri në ndonjë afishe që tregon nënën hundë më hundë me foshnjen e saj. Për të ruajtur “gjoja” kontaktin njerëzor, duke gënjyer veten dhe duke mashtruar dhe keqedukuar foshnjen po imitohet ky gjest afrimi nga disa primitivë, të cilët nuk njohin zakon tjetër përshëndetjeje. Hundën natyra e ka krijuar për të nuhatur dhe lëkurën, e dorën në veçanti, për të prekur. është kjo arsyeja që indianët e Amerikës, tregtarët e Venecias, tekstilistët e Gentit provonin gjithnjë me duar cilësinë e gjethes së duhanit dhe cohave të Indisë. Indianët e Paqësorit kur përshëndeten me hundë kanë një arsye të tyren, që vetëm ata dhe ndonjë i rrallë në botën këtej e din me saktësi.
Reforma në polici
Në Belgjikë njerëzit pyesnin veten se ç’ishte ajo reformë e re në policie e ndërmarrë nga Cari në vitet 1999 - 2003. Megjithëse të gjithë flisnin për shtimin e kriminalitetit, përdorimit të drogës, vrasjeve dhe vetëvrasjeve, pushteti i kish larguar policët nga rruga dhe i kish futur në zyra me rrjete ordinatorësh. Nga ana tjetër ndonjë zë i vetmuar kërkonte me dëshpërim të denonconte shtimin e anketave, kartelave, dosjeve personale.
Në atë vend njerëzia nuk kishin filluar akoma të bënin lidhjen organike mes atyre dy fenomeneve të rinj, largimin e policëve nga proximité dhe shtimin e dosjeve në sirtarët e policisë, shërbimeve sekrete të atij shteti. Që kur lindi shteti, njeriu e ndjeu veten përherë e më të braktisur e më të vetmuar. Vetminë e tij e theksuan akoma më shumë egoizmi dhe racizmi. I braktisur nga shteti njeriu braktisi me shpejtësi sallat e kishave me gjithë thirrjet e ndonjë pape superstar. Pakësimi i frekuentimit të kishave nga njerëzia u shoqërua me shtimin e numurit të dosjeve në polici. Nga kanceleritë e abeve rrëfimet kaluan në sirtarët e komisarëve të policisë. Edhe këmbanaret u elektrifikuan. Dikur ishte murgu ai që tundte e shkundte litarët e rëndë, tani është polici ai që shtyp butonin që nga salla e kontrollit dhe këmbanat një e nga një a të gjitha sëbashku nisin tingëllimin e tyre herë të fortë e herë të butë, herë të gjatë e herë të shkurtër, herë në kohë e herë... Të djelave abetë kthehen nga meshat në shtëpi të trishtuar, pasi stolat e kishave zbrasen çdo ditë e më shumë, shefat e policisë u ankohen grave të tyre se puna me letra është shtuar. Shtohen fshehurazi dosje, grumbullohen në mënyrë diskrete të dhëna për jetën private për njërin dhe tjetrin, nga njëri kundër tjetrit. Arma e re, pesha e skedave, pesha e thashethemeve, pesha e fjalëve të shkruara e të pathëna dhe e fjalëve të pashkruara e të thëna, rëndon më shumë në shpirtin e njerëzve se kërcënimi prangave dhe i pistoletës. Njeriu modern, i qetë në vetëpërmbajtjen dhe vetëdorëzimin e tij, pret çdo çast verdiktin e shtetit që në njërën dorë mban dosjet dhe në tjetrën litarin e këmbanareve.
Në Belgjikë ligja nuk parashikonte vendime me vdekje. Atje as nuk njiheshin dënimet e ekzekutimet me gurë. Për të ndjerë praninë e forcën shtrënguese të tij herë pas here shteti linte të dergjeshin njerëz në qeli pa asnjë ndihmë derisa vdisnin. Kështu i ndodhi një vit më parë një shqiptari. Kështu ndodhi pas një viti tjetër me një tjetër njeri. Herë pas herë e me llogari të bëra mirë ai shtet vriste njerëz-keqbërës, i linte të shtrirë me orë të tëra në rrugët e tij. Psikologët e atjeshëm kishin mësuar nga vlerat edukuese që ushtron mbi masën e popullit vrasja publike në Kinë a Iran. Dënime të tilla kapitale u bënë të zakonshme në vitet e fundit të diktaturës në Shqipëri. Pasi u hiqnin nga një plumb në tëmth, kriminelët i varnin në trekëmbësha dhe i linin të varur për një gjysëm ditë ose i shtrinin me torsin gjysëm të ngritur rrëzë ndonjë muri. Njerëzia detyroheshin nga qendrat e punës të vinin e t’i shikonin nga afër e të dënonin aktin e kufomave të verdha, të cilave u varesh në qafë ndonjë pankartë: “kështu do të përfundojnë të gjithë armiqtë”. Në Belgjikë kufomave të keqbërësve nuk u vihen pankarta në qafë, por lejohet me rregullore që polici të mund t’i bjerë me shqelm. Në Belgjikë nuk lihen të shtrira me orë të tëra vetëm kufoma kriminelësh. Atje është ndërtuar me kujdes një procedurë e tillë e ngatërruar penale që dhe një kufomë aksidenti automibilistik mund të rrijë fare mirë e shtrirë sa gjatë e gjërë për më se gjashtë orë derisa të gjenden një mjek ligjor e një oficer krimesh që të përfundojnë me nge punën e tyre nën shikimin ngulmues e nganjëherë shpotitëse të turmës kureshtare.
Njerëzit nisën të vinin re me çudi se si këmbanat filluan të binin pa praninë e pa dorën e murgut. Oraret e vizitave në kisha u shkurtuan. Vizitat filluan të bëhen vetëm në ditë çift a në ditë tek. Dyert e mjaft prej tyre nuk hapeshin më prej kohësh që nuk mbahen mend më. U mbushën më shumë se një vit, që ne kemi ardhur në Forest. Kisha e Saint Antoine nuk është hapur asnjëherë. Meqenëse shqiptarët njohin dhe i falen më shumë shenjtit Saint Antoine se vetë Krishtit, ime shoqe u detyrua të blejë e të sjellë në shtëpi statujën e tij. Kohët kishin ndryshuar. Murgjit kishin filluar të ngatërrojnë fjalët e Biblës, të mos njihnin më shenjtët e adhuruar, priftërinjtë nuk kishin më sigurinë e tyre të dikurshme në latinisht. Para çdo meshe ata përsëritnin me mend dhe njëherë si para ndonjë provimi shënimet e tyre tashmë të zverdhura.
Njeriu, që kur lindi shteti, e ndjeu veten përherë e më të braktisur e më të vetmuar. Ndërtimet administrative nisën të bëheshin më të gjëra, më të larta, ciklopike. Hovin e njerëzve filluan ta pengonin bodigardë dhe pika kontrolli elektronik. Trishtimin e vetmisë së tij para shtetit e theksoi akoma më shumë egoizmi i tij. I braktisur nga shteti njeriu braktisi me shpejtësi sallat e kishave me gjithë thirrjet e një ndonjë pape superstar. Pakësimi i frekuentimit të kishave nga njerëzia u shoqërua me shtimin e numurit të dosjeve në polici. Nga kanceleritë e abeve rrëfimet , deponimet kaluan në sirtarët e komisarëve dhe inspektorëve të policisë. Ndërsa të djelave abetë kthehen nga meshat në shtëpi të trishtuar, shefat e policisë u ankohen grave të tyre se puna me letra është shtuar. Shtohen fshehurazi dosje, grumbullohen në mënyrë diskrete të dhëna për jetën private të njërit dhe tjetrit, nga njëri kundër tjetrit.
Në Evropën e re ka lindur arma e re. Qëmtimi i paskrupullt i jetës së individit, i shpirtit të tij, i mendimeve të tij, i ndjenjave të tij. Pesha e skedave, pesha e thashethemeve, pesha e fjalëve të shkruara e të pathëna dhe e fjalëve të pashkruara e të thëna rëndojnë më shumë në shpirtin e njerëzve se kërcënimi prangave dhe i pistoletës. Njeriu është mbledhur në shtëpinë e tij, duket sa më pak në mëhallë, eviton shikimet e komshinjve, del në shëtitje vetëm atëherë kur i nevojitet qenit të tij besnik të kryejë nevojat personale në parqet – shurrtore mes luleve dhe blerimit. Siç thotë Sartri, njeriu ka filluar të mendojë gjithnjë e më pak. Sipas këshillave të shtetit ai mundësisht duhet të rrojë sa më pak. Jetëgjatësia e pleqëria atje është shndërruar në një problem të madh shoqëror e ekonomik, një ngarkesë gjithnjë e më e madhe në kurriz të politikanëve dhe brezave të rinj që vijnë pas. Njeriu modern, plak apo i ri, i qetë në vetëpërmbajtjen dhe vetëdorëzimin e tij, pret çdo çast verdiktin e shtetit që në njërën dorë mban dosjet dhe në tjetrën litarin e këmbanareve.
Carit Albert II dhe regjimit të tij s’i mungon asgjë.
Që ai tiran e që ky regjim të rrojnë sa më shumë, ata kanë nevojë për njerëz-lypësa, njerëz që konsumojnë sa më pak, që vishen sa më keq, që nuk mendojnë fare e që rrojnë sa më pak. Në Belgjikë kanë nevojë për lypësa dhe lypësat nuk mungojnë. Kudo syri të sheh lypësa: lypësa që hanë një krodhe buke të thatë me ujë në rrugë, lypësa para Gare du Midi, lypësa para Gare du Nord, lypësa me fytyrë të mbuluar para kishave, lypësa që shtrijnë duart e thata para dyerve të GB-ve, Delhaize-ve, ALDI-ve, LIDL-ve, MATCH-ve, Cora-ve, lypësa para kinemave, lypësa para bordellove, lypësa të kërrusur nën këmbët e busteve dhe monumenteve, lypësa që flejnë mes lulesh mbi bangot e parqeve të bleruara, lypësa në dyert e shkollave, lypësa pranë Bourse-s, lypësa që plotësojnë dekorin e sheshit të famshëm të Grand Place, në pllakën e vetme përkujtimore të së cilës përmendej me nderim se dikur kishte rrojtur një Karl Marks. Me mjerimin e tyre të thellë këta lypësa të panumërt, të gjithëkudondodhur i shërbejnë pa asnjë shpenzim plus një regjimi të tillë. Me mjerimin e tyre fizik këta njerëz të shkretë e të pafajshëm u fusin thellë në palcë mjerimin shpirtëror njerëzve të tjerë duke u kallur frikën për të nesërmen e pasigurt. Kështu ky regjimi arrin çdo ditë të ndrydhë e të largojë nga vetja ndjenjën që familja mbretërore ka më shumë frikë, frikën e pamëshirshme për ekzistencën e nesërme të mbretërimit të saj, e të fusë në shpirtin e shtetasve të vet këtë ndjenjë pasigurie, frikën për të nesërmen e tyre. Rradhët e këtyre njerëzve-lypësa të mjerë mbushen çdo ditë në rradhë të parë nga rradhët e njerëzve që guxojnë qoftë dhe një ditë të mendojnë, të shprehen hapur a të shkruajnë zyrtarisht kundër ekzistencës së një mbretërie të tillë. Vetëm dehja ngazëlluese që u shkakton pamja dërmuese, poshtëruese e njerëzve-lypësa të drobitur, të zhveshur, kockë e lëkurë, ish -armiq të tyre në çdo qoshe të Belgjikës lehtëson në mend e qetëson në shpirt familjen mbretërore të Belgjikës. Kështu asaj i shtohet besimi në të ardhmen e lumtur e të ndritur të sojit të vet , asaj i shtohet siguria që mbretërimi i saj do të vazhdojë i pacënuar për jet’ e mot. Vetëm duke u rritur numuri i këtyre njerëzve-lypës, belg e të huaj, mund t’i fashitet frika një raceje të tillë, frikë që Leopoldëve u rrihte gjithnjë në zemër, frika që ata kanë patur për të nesërmen e një mbretërimi parazitar, të kotë e të panevojshëm.